Inspektorati Policor i Kosovës themeloi Ekipin e përbashkët për vlerësimin e veprimeve policore gjatë ditës së djeshme në komunat Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok

Komunikatë për media

Inspektorati Policor i Kosovës themeloi Ekipin e përbashkët për vlerësimin e veprimeve policore gjatë asistimit tre kryetarëve të komunave në Veri të vendit për të ushtruar të drejtën e tyre në punë (në objektet zyrtare të komunave përkatëse)

 

Prishtinë /Hajvali, 27 Maj 2023

 

Bazuar në mandatin ligjor sipas detyrës zyrtare dhe në koordinim me Ministrin e Punëve të Brendshme, IPK ka krijuar një Ekip të përbashkët (inspektor/hetues) për të vlerësuar veprimet policore gjatë operacionit policor të ditës së djeshme në tre komunat veriore të vendit (Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).

 

Qëllimi i punës së këtij Ekipi është që të sigurojmë që Policia e Kosovës ka kryer detyrat konform standardeve dhe autorizimeve kushtetuese e ligjore, drejt krijimit të një mjedisi të sigurt për qytetarët pa dallim. Po ashtu, Ekipi synon të identifikojë nëse gjatë këtij operacioni ka pasur tejkalim të autorizimeve policore.

 

IPK siguron se varësisht nga gjetjet e punës së këtij Ekipi, konform autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit do të adresojë çështjet e ngritura.

 

IPK do të mbajë të informuar opinionin publik me rezultatet e punës së këtij Ekipi.

 

;