Inspektorati Policor i Kosoves

  • Phone: 08000 3333
  • Mail: info.ipk@rks-gov.net
  • Website: ipk.rks-gov.net
  • Address: Rr. Deshmoret e Gollakut p.n - Hajvali/Prishtine
 

Prishtinë, 26/06/2021

Arrestohen pesë zyrtarë policorë të dyshuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare

Prishtinë/Hajvali, 26 qershor 2021,

 Inspektorati Policor i Kosovës  kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet  e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur në  korrik të vitit të kaluar në Prizren.

Hetuesit e IPK-së pas pranimit të rastit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren që kanë përfshirë marrjen e deklaratave nga dëshmitarët okular si dhe sigurimin e disa audio incizimeve ditëve të fundit.

Pas veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorinë e Prizrenit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pesë zyrtarë policorë që ishin të përfshirë si të dyshuar në këtë incident (një rreshteri dhe katër zyrtarëve policorë – që të gjithë punonjës në Njësinë Speciale Operative).

Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”dhe “lëndim i lehtë trupor”kurse me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.