Prishtinë, 08/04/2020

IPK arrestoi një zyrtar policor të dyshuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare

Prishtinë, 8 prill 2020,

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti për menaxhimin e ankesave dje ka pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në një incident që kishte ndodhur më 5 prill 2020 në lagjen “Velania” në Prishtinë.
Sipas pretendimeve të familjarëve të viktimës (21 vjeçar) ai kishte pësuar dëmtime në kokë pas një incidenti që e ka pasur me një zyrtar policor.
Rasti është përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast.
Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot zyrtarin policor (punonjës në stacionin policor Qendra në Prishtinë) që ishte i përfshirë në këtë incident.
Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.