Prishtinë, 01/05/2020

IPK arreston një zyrtar policor të dyshuar për  keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Prishtinë/Kaçanik , 01 Maj 2020

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Informacionet e para hetuesit e IPK-së i kishin pranuar përmes rrugëve operative – hetimore se në një prej zyrave në stacionin policor në Kaçanik përkatësisht në një nga kompjuterët dyshohet se ndodhen disa shkresa që dyshohet se janë me përmbajtje të rreme.

Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me kryeprokurorin e Prokurorisë themelore në Ferizaj kanë ndërmarrë disa veprime hetimore duke përfshirë sekuestrimin e përkohshëm të sendeve në cilësi të provave materiale si dhe intervistimin e të dyshuarit.

Pas këtyre veprimeve hetimore,  zyrtarit policor (të dyshuar në këtë rast) me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.