Inspektorati Policor i Kosoves

  • Phone: 08000 3333
  • Mail: info.ipk@rks-gov.net
  • Website: ipk.rks-gov.net
  • Address: Rr. Deshmoret e Gollakut p.n - Hajvali/Prishtine
 

Prishtinë, 14/01/2022

IPK publikoi raportin e inspektimit për “Performanca policore në realizimin e urdhëresave të gjykatave”

Prishtinë/Hajvali, 14 janar 2022

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimeve ka publikuar Raportin e inspektimit  “Performanca policore në realizimin e urdhëresave të gjykatave”.

Me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, z. Kushtrim Hodaj, në muajin nëntor është iniciuar inspektim i jashtëzakonshëm për të vlerësuar performancën policore në realizimin e urdhëresave të gjykatave.

 Inspektimi është përqendruar në të gjitha zyrat e administrimit të urdhëresave të gjykatave në kuadër të stacioneve policore. Inicimi i këtij inspektimi është ndikuar edhe nga nevoja që Policia të sigurohet se ka ndërmarrë veprimet e duhura në ndjekjen dhe kapjen e të dyshuarve dhe të dënuarve për vepra kriminale.

Inspektimi ofron një mundësi për të vlerësuar angazhimet në përmbushjen e obligimeve që dalin nga ligjet në fuqi dhe Plani Strategjik Zhvillimor lidhur me parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit brenda shoqërisë.

Në kuadër të inspektimit nga IPK janë identifikuar disa Drejtori Rajonale Policore të cilat kanë performuar jo kënaqshëm në raport më drejtoritë tjera dhe që duhet mobilizuar në drejtim të ngritjes së efektivitetit dhe performancës.

Gjetjet e këtij inspektimi konsiderohet të jenë me interes për të gjithë akterët, përfshirë strukturën ekzekutuese të urdhëresave të gjykatave dhe nivelin mbikëqyrës – vendimmarrës.

IPK në kuadër të raportit të inspektimit ka dhënë shtatë rekomandime për Policinë e Kosovës duke përfshirë organizimin e trajnimeve për personel në këtë fushë, nxjerrjen e udhëzuesit për administrimin e urdhëresave, rishikimin e procedurave standarde të operimit, rekomandimi për ngritjen e efektivitetit dhe performancës në realizimin e urdhëresave të gjykatave, përditësimin me kohë të urdhëresave në bazën e të dhënave në polici etj.

Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe 7 rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim):

https://ipk.rks-gov.net/wp-content/uploads/2022/01/RAPORT-I-INSPEKTIMIT-NR-8-2021-PERFORMANCA-POLICORE-N%C3%8B-REALIZIMIN-E-URDH%C3%8BRESAVE-T%C3%8B-GJYKATAVE..pdf