Inspektorati Policor i Kosoves

  • Phone: 08000 3333
  • Mail: info.ipk@rks-gov.net
  • Website: ipk.rks-gov.net
  • Address: Rr. Deshmoret e Gollakut p.n - Hajvali/Prishtine
 

Prishtinë, 21/12/2021

IPK publikoi sot raportin e inspektimit për “menaxhimin e patrullimeve dhe sigurisë në rrugë”

Prishtinë/Hajvali, 21 dhjetor 2021

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Inspektimeve ka publikuar sot raportin e inspektimit për “menaxhimin e patrullimeve dhe sigurisë në rrugë”.

Në bazë të Ligjit nr. 03/L-231, IPK-ja ka mandat ligjor që të kryejë inspektime në Polici, për të vlerësuar mënyrën e kryerjes së detyrave policore. Ky aktivitet ndihmon dhe mbështetë Policinë për të siguruar një shërbim profesional, demokratik dhe të përgjegjshëm.

Plani Vjetor i Inspektimeve të Rregullta i Departamentit të Inspektimit të IPK-së (2021) ka përfshirë inspektimin e  menaxhimit të patrullimeve dhe sigurisë në rrugë.

Në këtë inspektim është vlerësuar kryerja e detyrave në fushën e menaxhimit të patrullimeve dhe sigurisë në rrugë. Inspektimi është përqendruar në Divizionin e Komunikacionit Rrugor (DKR), Njësinë për Kontroll të Autostradës (NJKA) dhe Njësitë Rajonale të Komunikacionit Rrugor (NJRKR). Gjetjet e këtij inspektimi tematik konsiderohet të jenë me interes për të gjithë zyrtarët patrullues në nivelin lokal e qendror, si dhe për nivelin mbikëqyrës – vendimmarrës.

Inicimi i këtij inspektimi është ndikuar edhe nga nevoja që Policia të sigurohet se ka ndërmarrë veprimet e duhura në ruajtjen e jetëve të qytetarëve, duke ngritur nivelin e sigurisë rrugore.

Inspektimi ofron një mundësi për të vlerësuar angazhimet në përmbushjen e obligimeve që dalin nga ligjet në fuqi dhe Strategjia për Sigurinë Rrugore në vendin tonë.

Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe 16 rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së. SHIKO RAPORTIN KËTU