Inspektorati Policor i Kosoves

  • Phone: 08000 3333
  • Mail: info.ipk@rks-gov.net
  • Website: ipk.rks-gov.net
  • Address: Rr. Deshmoret e Gollakut p.n - Hajvali/Prishtine
 

Prishtinë, 13/11/2020

IPK rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës

Hajvali/Prishtinë,13 nëntor 2020

Në kuadër të një hetimi që Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj kishin filluar procedurën hetimore në muajin shtator të këtij viti ndaj disa të dyshuarve (zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës – Stacioni Policor i Gjakovës), sot është bërë rekomandimi për suspendim edhe për dy zyrtarë policorë  lidhur me rastin e njëjtë.

Rekomandimi për suspendim që është bërë në interes të procedurës hetimore, është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Hetuesit në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.

Për detaje shtesë ju lutem gjeni si më poshtë edhe komunikatën e datës 28 tetor 2020 të lëshuar nga Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me rastin e njëjtë.

Komunikatë për media

IPK rekomandon suspendimin e shtatë zyrtarëve të Policisë së Kosovës

Hajvali/Prishtinë, 28 tetor 2020

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj kanë filluar procedurën hetimore në muajin shtator të këtij viti ndaj disa të dyshuarve (zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës – Stacioni Policor i Gjakovës).

Hetimi fillimisht kishte filluar me dyshimin për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” lidhur me një incident që kishte ndodhur më 13 shtator 2020.

IPK ka qenë duke e hetuar në këtë rast rrethanat  e përdorimit të armës së zjarrit nga një zyrtar policor me dyshimin se  me rastin e gjuajtjes me armë zjarri ndaj një motoçiklisti në lëvizje  (person i dyshuar) janë tejkaluar autorizimet e tij për përdorimin e armës zyrtare.

Sidoqoftë, gjatë hetimit të këtij rasti, hetuesit e IPK-së kanë zbuluar prova shtesë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autorizimeve zyrtare edhe nga disa zyrtarë policorë (fshehje e dëshmive  dhe informacioneve lidhur me rastin  e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm).

Duke ju referuar autorizimeve ligjore të IPK-së, në interes të procedurës hetimore, IPK ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e shtatë punonjësve të Policisë së Kosovës si të dyshuar në këtë rast ( një major – U.D komandanti i stacionit policor të Gjakovës, një toger policor, katër zyrtarë policorë dhe një pjesëtar i stafit civil të PK-së).

Hetuesit në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.