Prishtinë, 06/03/2020

Sqarim  për media

Sqarim ndaj një shkrimi të publikuar në Kallxo.com

Prishtinë\Hajvali , 6 mars 2020

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, ofron sqarim rreth shkrimit të publikuar fillimisht në portalin Kallxo.com e pastaj edhe në mediume të tjera me titull: “IPK gjen pjesë të organeve të njeriut që nuk ruhen në frigorifer në stacionet e Policisë”
IPK konsideron se një qasje e tillë lidhur me raportin e inspektimit të realizuar nga Departamenti i Inspektimit në vitin 2019 krijon paqartësi në opinionin publik.
Inspektorati Policor i Kosovës sqaron për të gjitha mediat dhe qytetarët se duke ju referuar raportit zyrtar të inspektimit nuk bëhet fjalë për “pjesë të organeve të njeriut” siç i janë referuar mediet por për mostra biologjike.
Si obligim ligjor dhe bazuar në parimin e transparencës IPK ka publikuar raportin e plotë të këtij inspektimit të rregullt nr. 06/2019 me titull “Menaxhimi i hetimit dhe zbulimit të krimit dhe administrimit të rasteve”.
Në përmbledhjen ekzekutive të raportit të inspektimit nr. 06/2019 (Menaxhimi i hetimit dhe zbulimit të krimit dhe administrimit të rasteve), tek paragrafi 1.1.4 shkruhet:
“Dëshmitë janë të ndërlidhura me hetimin e veprave penale dhe ato duhet ruajtur deri sa të përfundojë procedura hetimore dhe penale. Fusha e trajtimit të dëshmive është e rregulluar me procedurë për vendosjen, trajtimin dhe ruajtjen e tyre. Procedurat në fuqi ofrojnë rregulla të qarta për parandalimin e humbjes, dëmtimit, shkatërrimit, kalbjes apo kontaminimit të dëshmive. Disa nga Dhomat e dëshmive në kuadër të drejtorive rajonale nuk kanë përmbushur disa nga kriteret e përcaktuara për trajtimin e duhur të dëshmive. Në disa raste, për shkak të specifikave të tyre, shihet se dëshmitë nuk ruhen të ndara në vende të posaçme. Janë evidentuar raste ku paratë nuk ruhen brenda zonës së deponimit, si dhe raste kur mostrat biologjike nuk ruhen në frigorifer. Në të shumtën e rasteve, dëshmitë janë identifikuar lehtë, por jo në të gjitha rastet ato kanë qenë të paketuara dhe të shënuara në mënyrën e duhur. Vërehet në disa raste mungesë e të dhënave mbi lëvizjet e dëshmive në zinxhirët e ruajtjes dhe regjistra. Duhet përmirësuar gjendja në mbajtjen e evidencave më të plota të dëshmive. Duhet ngritur vëmendja që në rastet e hapjes së dëshmive, të respektohet procedura e regjistrimit. Duhet ndërmarrë masa për ngritjen e sigurisë së dëshmive, duke shfrytëzuar zona të përshtatshme brenda hapësirave të deponimit për vendosjen e llojeve të caktuara të dëshmive. Duhet kushtuar kujdes rregullit mbi të drejtën e personave të autorizuar që të mbajnë çelësat e Dhomave të dëshmive për të pamundësuar qasjet e paautorizuara”.
Pra duke ju referuar të gjeturave nga ky raport i inspektimit vërehet qartë se nuk bëhet fjalë për “organe të njeriut” siç i janë referuar mediet por për mostra biologjike.
Për hir të korrektësisë si në vijim do të gjeni linkun-vegëzën e raportit të plotë të inspektimit “nr. 06/2019 (Menaxhimi i hetimit dhe zbulimit të krimit dhe administrimit të rasteve):

https://ipk.rks-gov.net/wp-content/uploads/2020/01/RAPORTI-I-INSPEKTIMIT-NR.-06-2019-MENAXHIMI-I-HETIMIT-DHE-ZBULIMIT-T%C3%8B-KRIMIT-SI-DHE-ADMINISTRIMI-I-RASTEVE.pdf

Inspektorati Policor i Kosovës duke i falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm, inkurajon gazetarët që para publikimit të informacioneve t’i drejtohen Divizionit për bashkëpunim dhe informim të IPK-së për sqarimin e informacioneve dhe marrjen e informatave të sakta, në mënyrë që të ketë informim të drejtë të opinionit publik.