IPK rekomandon suspendimin e një togeri policor

Komunikatë për media

Prishtinë/Hajvali, 10 maj 2024

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Zyrtarët e IPK-së  kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës.

Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik.

IPK pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar.

Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në përmbushje të misionit ligjor në konsultim të vazhdueshëm edhe me prokurorin përgjegjës për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
;