Përfundoi trajnimi pesë-ditor për statistika në Inspektoratin Policor të Kosovës, mbështetur nga Misioni i OSBE-së

Komunikatë për media

Prishtinë/Hajvali, 27 shtator 2024,

Sot përfundoi me sukses trajnimi pesë-ditor për statistika, i organizuar për zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK). Trajnimi u mbajt në objektin e IPK-së dhe ishte mbështetur nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.

Ky trajnim synonte forcimin e kapaciteteve të zyrtarëve të IPK-së në përdorimin dhe interpretimin e statistikave, duke theksuar rëndësinë e të dhënave statistikore në proceset vendimmarrëse dhe analizën e performancës së përgjithshme. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit përfituan njohuri të thelluara mbi teknikat bazë dhe të avancuara të analizës statistikore, përfshirë përdorimin e programeve profesionale si STATA, që do të mundësojnë një qasje më të sofistikuar dhe të saktë në raportim dhe analizë.

Mbështetja nga Misioni i OSBE-së për këtë aktivitet është një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin profesional të zyrtarëve të IPK-së, duke ndihmuar në përmirësimin e kapacitetit të tyre për të përpunuar dhe analizuar të dhënat në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies brenda sektorit të sigurisë.

Inspektorati Policor i Kosovës falënderon Misionin e OSBE-së për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të saj.
;