Zyrtarët e IPK-së shkëmbejnë përvojat me kolegët nga Inspektorati i Përgjithshëm i Forcave të Sigurisë (GIBS) në Çeki

Komunikatë për media

Pragë,  19 shkurt 2025

Një delegacion prej tre zyrtarëve të  Inspektoratit Policor të Kosovës ka realizuar një vizitë dy ditore dhe takim në Inspektoratin e Përgjithshëm të Forcave të Sigurisë (GIBS) në Republikën e Çekisë.

Kjo vizitë u mundësua nga EPAC/EACN  (Partnerët Evropian Kundër Korrupsionit) si pjesë e projektit për shkëmbimin e praktikave më të mira anti-korrupsion (BACPE) dhe konsiderohet si një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të fuqizuar kapacitetet institucionale dhe për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja në luftën kundër korrupsionit.

Qëllimi i vizitës ishte të mundësojë shkëmbimin e praktikave më të mira dhe të thellojë bashkëpunimin ndërkombëtar mes agjencive mbikëqyrëse policore. Delegacioni u angazhua në diskutime me kolegët e GIBS-it lidhur me strategjitë efektive në ndërgjegjësimin kundër korrupsionit, parandalimin  e korrupsionit, mbrojtjen e sinjalizuesve,  menaxhimin e rreziqeve nga korrupsioni etj.

Pjesëmarrësit e delegacionit kishin mundësinë të takonin ekspertë nga GIBS dhe të ndanin përvoja mbi metodat dhe praktikat më të mira që përdoren në Çeki. Kjo vizitë është pjesë e një projekti më të gjerë që synon të ofrojë mundësi për agjencitë anëtare të EPAC/EACN për të mësuar nga njëra-tjetra dhe për të zbatuar praktika efektive në luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimit.

Gjatë realizimit të kësaj vizite delegacioni i IPK-së mori pjesë edhe në ceremoninë e shënimit të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë dhe falënderon stafin e Ambasadës për përkrahjen e dhënë në realizimin me sukses të kësaj vizite.
;