IPK pjesë e konferencës së Europol-it mbi 'Të drejtat themelore në zemër të policimit'

Ekspertët debatojnë mbi ndikimin real të të drejtave themelore në botën e sotme sfiduese

Më 20 dhe 21 shkurt 2025, ekspertë nga autoritetet e zbatimit të ligjit, akademikë dhe organizata joqeveritare u mblodhën në selinë e Europolit për konferencën e parë 'Të drejtat themelore në zemër të policimit', organizuar nga Oficeri i të Drejtave Themelore të Europolit.

Mbi 130 pjesëmarrës nga 25 vende anëtare të BE-së dhe 11 vende jo anëtare të BE-së iu bashkuan veprimtarisë, si dhe përfaqësues nga Agjencia e të Drejtave Themelore të BE-së (FRA), Roja Kufitare dhe Bregdetare e BE-së (Frontex) dhe Agjencia e BE-së për Trajnimin e Zbatuesve të Ligjit (CEPOL) që kontribuan në shkëmbim. Pjesëmarrësit diskutuan dhe ndanë përvojat dhe perspektivat mbi respektimin e të drejtave themelore në polici dhe gjetjen e mënyrave bashkëpunuese për të siguruar që këto të jenë të ngulitura në standardet dhe praktikat e zbatimit të ligjit.

Duke hapur konferencën, Drejtoresha Ekzekutive e Europolit, Catherine De Bolle, theksoi: 
“Të drejtat themelore janë themeli i zbatimit efektiv të ligjit. Besimi është guri i themelit i tij – megjithatë është i brishtë. Mbrojtja e të drejtave themelore, duke përfshirë mbrojtjen e të dhënave, është në qendër të misionit të Europolit. Së bashku me autoritetet kombëtare, ne duhet të sigurojmë transparencë, ndershmëri dhe përgjegjshmëri – për të ruajtur integritetin e zbatimit të ligjit në Evropë dhe për të ruajtur besimin midis forcave policore dhe komuniteteve që shërbejmë.”

Gjatë konferencës dyditore, ekspertët diskutuan zhvillimet e vazhdueshme dhe sfidat aktuale në fushën e të drejtave themelore. Ata u përqëndruan në shkaqet dhe katalizatorët e shkeljeve të mundshme të të drejtave themelore, dhe si të luftohet racizmi dhe të kapërcehen ndarjet kulturore dhe fragmentimi shoqëror përmes promovimit dhe mbrojtjes efektive të të drejtave themelore në polici, si dhe përmes trajnimit të vazhdueshëm, angazhimit të palëve të interesuara dhe proceseve të përmirësuara.


;