Komunikatë për media

Hetuesit e IPK-së arrestuan dy zyrtarë policorë me dyshimin për “marrje ryshfeti”


Prishtinë/Pejë, 20 prill 2025,
Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar sot informacione nga një qytetar i cili pretendonte se dy zyrtarë policorë nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se zyrtarët policorë e kishin ndaluar qytetarin në një pikë kontrolli dhe për të mos i shqiptuar gjobë i kanë kërkuar qytetarit një shumë  monetare.
 Pas veprimeve paraprake hetimore të kryera nga hetuesit e IPK-së, janë arrestuar dy zyrtarët policorë me dyshimin  se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” dhe të njëjtëve me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Për të parandaluar çdo ndikim të mundshëm në rrjedhën e hetimit si dhe për të mbrojtur integritetin e procedurës hetimore, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e tyre.
Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.
IPK falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim duke mbetur e përkushtuar drejt fuqizimit të integritetit në radhët e policisë.
Të gjitha informacionet që pranohen përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) do të trajtohen me profesionalizëm dhe konfidencialitet nga hetuesit e IPK-së.
;