Në UP u mbajt ligjërata mbi rolin dhe rëndësinë e Inspektoratit Policor të Kosovës në sundimin e ligjit në Kosovë
Prishtinë, 14 maj 2025
Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) për vetëdijesimin e qytetarëve dhe studentëve mbi fushëveprimin ligjor të tij, në Universitetin e Prishtinës (Fakulteti i Filologjisë – Programi i Gazetarisë) u mbajt një ligjëratë me temën “Inspektorati Policor i Kosovës, roli dhe rëndësia në sundimin e ligjit në Kosovë”.
Ky aktivitet, i organizuar për studentët e vitit të tretë të gazetarisë kishte për qëllim informimin dhe ngritjen e vetëdijes së tyre mbi mekanizmat e mbikëqyrjes së institucioneve të sigurisë dhe rolin e IPK-së në ruajtjen e integritetit të Policisë së Kosovës.
Profesori i Programit të Gazetarisë z. Alban Zeneli në fillim të këtij organizimi, falënderoi përfaqësuesit e IPK-së për angazhimin e tyre në këtë fushë dhe theksoi rëndësinë që kanë aktivitete të tilla për studentët e gazetarisë. Ai vuri në dukje se ligjërata për studentët do ti ndihmojë ata të kenë një kuptim të thellë dhe të drejtë të mekanizmave të mbikëqyrjes së institucioneve të sigurisë përfshirë IPK-në.
Zyrtarët e IPK-së prezantuan detyrat dhe përgjegjësitë e kësaj agjencie mbikëqyrëse, duke theksuar rëndësinë e saj në sigurimin e profesionalizmit dhe llogaridhënies brenda forcave policore. Ata shpjeguan mekanizmat e mbikëqyrjes që zbaton IPK-ja për të garantuar respektimin e ligjit dhe bashkëpunimin e saj të ngushtë me sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Gjatë ligjëratës, studentët patën mundësinë të shtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje të detajuara nga përfaqësuesit e IPK-së mbi temat që lidhen me mekanizmat e kontrollit, hetimet e pavarura mbi Policinë e Kosovës dhe ndërlidhjen e punës së IPK-së me organet gjyqësore.
Në kuadër të diskutimeve gjatë ligjëratës u trajtuan edhe tema si roli i mediave dhe gazetarisë në raportimin mbi aktivitetet e IPK-së dhe mbajtjen e institucioneve përgjegjëse në kuadër të sundimit të ligjit.
IPK falënderon stafin akademik të Universitetit të Prishtinës respektivisht të Fakultetit Filologjik – Programi i Gazetarisë për bashkëpunimin dhe përkrahjen e dhënë për realizimin e këtij aktiviteti.