Publication Image

Komunikatë për media

24.09.2025

 
Prishtinë/Prizren, 24 Shtator 2025 

IPK ka publikuar sot Raportin e inspektimit të rregullt në fushën “Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Prizrenit”.

Inspektimi është realizuar Departamenti i Inspektimeve në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2025. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me performancën e Stacionit, me fokus të veçantë në fushat, si: burimet njerëzore, operativë, hetime dhe shërbime administrative - mbështetëse.

Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: vlerësimi i organizimit dhe angazhimit të burimeve njerëzore, vlerësimi i aktiviteteve operative në ngritjen e nivelit të sigurisë, vlerësimi i aktiviteteve hetimore në parandalimin dhe luftimin e krimit, si dhe vlerësimi i kapaciteteve dhe kushteve të punës.

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe atë operativ - administrativ. 

IPK në kuadër të Raportit ka dhënë pesëmbëdhjetë (15) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e sistemimit dhe shpërndarjes së drejtë të personelit, furnizimit të rregullt me veshmbathje dhe pajisje, përfshirjes më të gjerë të personelit në ricertifikimi dhe trajnime specifike profesionale, ndarjes së drejtë të orëve në punë dytësore etj.
Një pjesë e rekomandimeve janë edhe për përmirësimin e kohës së reagimit në vend ngjarje, analizimit të metodologjisë së patrullimit, shkurtimit të kohës fillestare gjatë realizimit të urdhëresave të gjykatave, analizimit të trendëve të arrestimeve/ndalimeve dhe identifikimit të faktorëve, respektimit të zinxhirit të plotë komandues gjatë procedimit të kallëzimeve penale, përdorimit të paketimeve adekuate të dëshmive të konfiskuara, ushtrimit të inspektimeve në dhomën e dëshmive, furnizimit të pajisjeve për kontrollin e personave, ngritjen e higjienës në dhomat e ndalimit, etj.

Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim):
https://ipk.rks-gov.net/File/Download?fileName=RAPORT%20I%20INSPEKTIMIT%20NR.%2005-2025%20-%20VLER%C3%8BSIMI%20I%20PERFORMANC%C3%8BS%20S%C3%8B%20STACIONIT%20POLICOR%20T%C3%8B%20PRIZRENIT-82da72fc-f17a-4f2e-ae92-e39091ffbf42.pdf