News Image
01.10.2026
IPK përmbyll me sukses punëtorinë rajonale për integritetin dhe llogaridhënien në Policinë e Kosovës

Me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, punëtoria e zhvilluar në Prishtinë mblodhi mbi 25 zyrtarë dhe menaxherë policorë për të diskutuar forcimin e integritetit profesional, llogaridhënies institucionale, respektimit të të drejtave të njeriut dhe komunikimit me qytetarët
Prishtinë, 30 shtator 2026 – Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka përmbyllur me sukses punëtorinë rajonale të dedikuar forcimit të integritetit profesional, rritjes së llogaridhënies institucionale dhe avancimit të standardeve profesionale në Policinë e Kosovës.
Punëtoria një ditore e zhvilluar në Prishtinë, mblodhi mbi 25 zyrtarë dhe menaxherë policorë nga njësi të ndryshme të stacioneve policore dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë. Në aktivitet morën pjesë dhe kontribuuan gjithashtu përfaqësues të Drejtorisë për Hetime të Brendshme të Policisë së Kosovës.
Gjatë punëtorisë u trajtuan një sërë çështjesh me rëndësi për ushtrimin profesional të detyrave policore, me fokus të veçantë në integritetin profesional dhe respektimin e të drejtave të njeriut, menaxhimin dhe mbrojtjen e konfidencialitetit të informacionit, si dhe komunikimin me qytetarët dhe ndikimin e tij në besimit e publikut në institucionet e zbatimit të ligjit.
Diskutimet dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet pjesëmarrësve synuan të kontribuojnë në identifikimin e praktikave të mira dhe në fuqizimin e përgjegjësisë profesionale e institucionale, duke promovuar standarde të qëndrueshme të integritetit dhe llogaridhënies në Policinë e Kosovës.
Inspektorati Policor i Kosovës shpreh mirënjohjen për Misionin e OSBE-së në Kosovë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në realizimin e aktiviteteve që synojnë fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe promovimin e standardeve profesionale në fushën e zbatimit të ligjit.
Me shume...
News Image
29.09.2026
Komunikatë për media

Florida/SHBA, 29 shtator 2026 

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës z.Kushtrim Hodaj, zv. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës  Fehmi Hoti dhe zyrtarë të lartë të dy institucioneve po marrin pjesë në konferencën vjetore të Asociacionit Kombëtar të Hetimeve të Brendshme (NIAIA) në Clearwater - Florida  të SHBA-ve.
Delegacioni i Kosovës u mirëprit  nga  Kryetari Bordit Kapiten Chris Ray dhe anëtarët e Bordit të NIAIA.
Konferenca edhe këtë vit mblodhi përfaqësues të hetimeve të brendshme dhe mbikëqyrjes policore nga agjencitë  kryesore të zbatimit të ligjit në SHBA dhe me gjerë. Ndërkaq  ekspertë të njohur të fushave po diskutojnë për sfidat aktuale në agjencitë e zbatimit të ligjit, tema që ndërlidhen me llogaridhënien, inovacionin, inteligjencën artificiale - sfidat në hetim, trajtimin e punonjësve toksik, ngarkesën në punë dhe mirëqenien etj. Konferenca vazhdon të jetë një mundësi e jashtëzakonshme e ndërtimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet zyrtarëve dhe institucioneve.
NIAIA është organizatë në kuadër të së cilës bëjnë pjesë mekanizmat hetimeve të brendshme dhe mbikëqyrëse të Agjencive  Policore në SHBA. Edhe këtë vit mbi 300 zyrtarë amerikan të Agjencive të ndryshme të zbatimit të ligjit dhe zyrtar ndërkombëtar po  ndjekin punimet e konferencës. Kosova nga viti 2021 përmes IPK-së është anëtare e barabartë e kësaj organizate si institucion i parë Evropian krahas Agjencive të zbatimit të ligjit në SHBA.


Me shume...
News Image
07.09.2026
Komunikatë për media
Prishtinë – 7 shtator 2026 
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është njoftuar lidhur me një incident të raportuar gjatë ditës së djeshme, në orët e pasdites, në parkingun e një qendre tregtare, ku ishin të përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare ( me gradën e kapitenit) si dhe dy qytetarë, njëri prej të cilëve i mitur.
Pas njoftimit për rastin, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, me qëllim të verifikimit të rrethanave dhe mbledhjes së informacioneve fillestare lidhur me incidentin.
Sipas të dhënave fillestare, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun, ndërsa personat e përfshirë më pas janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit.
Gjatë trajtimit të këtij rasti, në IPK janë ngritur pretendime për tejkalim të autorizimeve policore nga një zyrtar tjetër policor ndaj njërit prej qytetarëve të përfshirë në incident.
Bazuar në informacionet fillestare të pranuara nga hetuesit e IPK-së, njëri nga personat e përfshirë ka pretenduar se pas shoqërimit në polici, ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor në stacionin policor të Graçanicës.
Lidhur me këto pretendime, hetuesit e IPK-së kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me prokurorin kompetent dhe, nën drejtimin e tij, kanë ndërmarrë dhe janë duke ndërmarrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të të gjitha rrethanave të rastit.
Në kuadër të hetimit, zyrtari policor i dyshuar  për keqtrajtim është suspenduar me rekomandim të IPK-së ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë do të vazhdojnë të ndërmerren nga Policia e Kosovës në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent në drejtim të veprës penale të sulmit kurse ndaj zyrtarit policor (me gradën e kapitenit) veprimet hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së me dyshimin  për veprën penale të kanosjes.
IPK thekson se hetimi është në fazën fillestare dhe se të gjitha veprimet hetimore po zhvillohen në koordinim me prokurorin kompetent, duke respektuar procedurat ligjore, të drejtat e të gjitha palëve të përfshira dhe parimin e prezumimit të pafajësisë.
Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar që çdo pretendim për keqpërdorim të autorizimeve policore apo shkelje të të drejtave të qytetarëve të trajtohet me profesionalizëm, paanshmëri dhe në përputhje të plotë me ligjin.
 
Me respekt;
Divizioni për bashkëpunim dhe informim

Me shume...
News Image
04.09.2026
Zyrtarët e IPK-së realizuan ligjëratat për integritetin policor dhe të drejtat e njeriut para kadetëve të Gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës

Prishtinë – Vushtrri, 04 shtator 2026
Përfaqësues të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë zhvilluar një seri ligjëratash dhe prezantimesh profesionale me kadetët e Gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, të cilët janë duke vijuar trajnimin bazik në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri.
Aktiviteti është realizuar me qëllim të informimit dhe përgatitjes së kadetëve të rinj lidhur me rolin institucional, mandatin ligjor dhe fushëveprimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, si dhe me rëndësinë e respektimit të standardeve profesionale, integritetit dhe të drejtave të njeriut gjatë ushtrimit të detyrës policore.
Gjatë ligjëratave, përfaqësuesit e IPK-së kanë trajtuar tema në fushën e mbikëqyrjes policore  duke u ofruar kadetëve informacione të detajuara lidhur me mandatin e IPK-së, përgjegjësitë institucionale dhe fushëveprimin ligjor.  
Në kuadër të këtij aktiviteti janë zhvilluar edhe ligjërata të veçanta mbi integritetin policor, me theks në standardet etike dhe profesionale që duhet të udhëheqin sjelljen dhe vendimmarrjen e zyrtarëve policorë. Në këtë kontekst, është diskutuar rëndësia e integritetit individual dhe institucional, përgjegjësisë profesionale, llogaridhënies, parandalimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, dhe formave të tjera të sjelljes që mund të cenojnë besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës.
Nëpërmjet diskutimeve dhe shembujve praktikë nga puna institucionale, ligjëruesit e IPK-së kanë ndarë me kadetët edhe përvoja profesionale, duke vënë theksin në sfidat me të cilat mund të përballen zyrtarët policorë gjatë karrierës së tyre dhe në rëndësinë e marrjes së vendimeve të drejta, të paanshme dhe të bazuara në ligj.
Ky aktivitet synon të kontribuojë në forcimin e kulturës së integritetit dhe profesionalizmit që nga faza e përgatitjes së gjeneratave të reja të zyrtarëve policorë, duke e konsideruar parandalimin dhe edukimin profesional si elemente të rëndësishme të ndërtimit të një policie të besueshme, transparente dhe llogaridhënëse.
Inspektorati Policor i Kosovës falënderon Policinë e Kosovës, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe stafin/instruktorët e trajnimit bazik për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme në realizimin e këtyre aktiviteteve.
Me shume...