Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.
Objekt i veprimtarisë së IPK-së është:
Parandalimi, zbulimi, dokumentimi dhe hetimi i veprave penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj.
Inspektimi i strukturave dhe funksioneve të Policisë së Kosovës për të siguruar llogaridhënie,efektivitet dhe efikasitet në zbatueshmërinë e ligjeve, akteve nënligjore dhe procedurave standarde të operimit në fuqi.
Hetimi dhe/ose inspektimi i incidenteve disiplinore të profilit të lartë, ku përfshihen të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës, siç është përcaktuar ne nenin 4, paragrafi 1. nën-paragrafi 1.11 të ligji të IPK-së
Hetimi i të gjitha shkeljeve disiplinore të supozuara të zyrtarëve policor me gradën më të lartë të nivelit të lartë të menaxhimit dhe zyrtarëve policor të nivelit të lartë ekzekutiv.
Pranimi i të gjitha ankesave të qytetarëve si dhe shqyrtimi dhe përcaktimi se cilat nga ankesat hetohen nga IPK dhe cilat do t’i referohen Policisë së Kosovës apo institucioneve përgjegjëse.
Si do ta ndihmojë IPK-ja Policinë e Kosovës?
Policia e Kosovës është organizata më e re dhe është njëra nga modelet më të mira të “policisë demokratike” në rajon. Megjithatë, PK është ende duke u zhvilluar.Inspektorati Policor i Kosovës do t’i ndihmojë PK-së në zhvillimin e tij si institucion demokratik. Këtë e bënë duke i aplikuar standardet evropiane policore, duke e vlerësuar punën e menaxherëve të PK-së, derisa këto standarde janë të definuara në Kodin Evropian të Etikës Policore. Asnjë organizatë policore në rajon nuk e ka mënyrën e njëjtë të vlerësimit të punës në këtë mënyrë dhe IPK-ja do t’i ndihmojë menaxherëve të PK-së në sigurimin e pajtueshmërisë me standardet e Këshillit Evropian.
Kush ka kompetencë ekzekutive mbi Inspektoratin Policor të Kosovës?
Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës ka kompetencë të plotë ekzekutive dhe i përgjigjet Ministrisë së Punëve të Brendshme.IPK-ja do të funksionojë si mekanizëm mbikëqyrës i policisë dhe është plotësisht i pavarur nga PK-ja. Pavarësia e IPK-së do të jetë kusht thelbësor në ruajtjen e besimit të popullatës në PK-në si një organizatë profesionale, që bazohet në parimet e transparencës dhe përgjegjshmërisë.IPK nuk do të ndërhy në kompetencat e PK-së për punët operative policore në vend të kësaj IPK-ja do t’u ndihmojë menaxherëve të PK-së t’i përmirësojnë mënyrat në të cilat ata arrijnë tri qëllime:
Efektshmërinë : duke u siguruar se qëllimet e PK-së janë arritur.
Pajtueshmërinë : duke u siguruar që qëllimet e PK-së janë arritur në pajtueshmëri të plotë me ligjet e aplikuara dhe standardet evropiane.
Zotësinë : duke u siguruar që qëllimet e PK-së janë arritur në mënyrën më fitimprurëse, duke ua bërë të ditur punën e policëve taksapaguesve të Kosovës.