Prishtinë, 20 nëntor 2026
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka përmbyllur me sukses ciklin e nëntë punëtorive të organizuara në nivel vendi, të dedikuara forcimit të integritetit profesional, rritjes së llogaridhënies institucionale dhe avancimit të standardeve profesionale në Policinë e Kosovës.
Punëtoria e nëntë dhe e fundit për këtë vit e këtij cikli është mbajtur sot në Prishtinë, me pjesëmarrjen e eprorëve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, Policia Kufitare dhe njësitë e specializuara. Ndërkaq, tetë punëtoritë paraprake janë organizuar në të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë së Kosovës, duke përfshirë eprorë dhe menaxherë policorë nga nivele dhe njësi të ndryshme organizative.
Në këto punëtori kanë marrë pjesë dhe kanë kontribuar edhe eprorë nga Drejtoria për Hetime të Brendshme e Policisë së Kosovës, të cilët përmes përvojës së tyre kanë ofruar kontribut të rëndësishëm në trajtimin e temave të punëtorive.
Gjatë këtij cikli të punëtorive janë trajtuar çështje me rëndësi të veçantë për ushtrimin profesional të detyrave policore, me fokus në integritetin profesional, respektimin e të drejtave të njeriut, menaxhimin dhe mbrojtjen e konfidencialitetit të informacionit, si dhe komunikimin me qytetarët dhe ndikimin e tij në ndërtimin dhe ruajtjen e besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës.
Përmes diskutimeve interaktive, shkëmbimit të përvojave dhe trajtimit të situatave praktike, punëtoritë kanë synuar të fuqizojnë dhe promovojnë kulturën e integritetit, mbikëqyrjen profesionale, përgjegjësinë menaxheriale dhe zbatimin e standardeve të larta të llogaridhënies në të gjitha nivelet e organizimit policor.
Inspektorati Policor i Kosovës falënderon Misionin e OSBE-së në Kosovë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në realizimin e këtij cikli të punëtorive dhe të aktiviteteve të tjera që synojnë fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe integritetin policor.
IPK përmbyll ciklin e nëntë punëtorive në nivel vendi me eprorët e Policisë së Kosovës për forcimin e integritetit dhe llogaridhënies institucionale
20.11.2026