Publication Image

Komunikatë për media

03.10.2025

Prishtinë, 03 tetor 2025
Ka përfunduar sot cikli i punëtorive që janë mbajtur me zyrtarë policorë në Drejtoritë Rajonale Policore në Prishtinë, Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Prizren, Ferizaj, Gjakovë, Gjilan dhe Pejë.
Në këto punëtori të cilat u realizuan me përkrahjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, morën pjesë rreth 150 zyrtarë policorë nga njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës. 
Në secilën punëtori ka pasur prezantime nga  Mekanizmi Kombëtar kundër Torturës i cili funksionon në kuadër të Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës duke informuar pjesëmarrësit për detyrat, kompetencat dhe rolin e këtyre mekanizmave në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Synimi i punëtorive ishte që përmes tyre të ofrohet një platformë për diskutim me policët e rinj mbi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e individëve nga arrestimet arbitrare, legjislacionin vendor dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut etj.
Punëtoritë kishin si synim edhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve duke  promovuar standarde të larta të llogaridhënies, profesionalizmit dhe integritetit  në polici. 
Inspektorati Policor i Kosovës shpreh falënderim të veçantë për mbështetjen e OSBE-së dhe angazhimin e vazhdueshëm për të promovuar të drejtat e njeriut, integritetin institucional dhe llogaridhënien.