Publication Image

IPK relizon ligjëratë me nxënësit në shkollën "Don Bosko" Gjilan

27.02.2026

Në  shkollën "Don Bosko" Gjilan u mbajt ligjërata mbi rolin dhe rëndësinë e Inspektoratit Policor të Kosovës në sundimin e ligjit në Kosovë

Prishtinë - Gjilan, 27 shkurt 2026 
Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) për vetëdijesimin e qytetarëve mbi fushëveprimin ligjor të tij, në shkollën "Don Bosko" në Gjilan u mbajt një ligjëratë me temën “Inspektorati Policor i Kosovës, roli dhe rëndësia në sundimin e ligjit në Kosovë”. 
Ky aktivitet, i organizuar me  nxënësit e kësaj shkolle kishte për qëllim informimin dhe ngritjen e vetëdijes së tyre mbi mekanizmat e mbikëqyrjes së institucioneve të sigurisë dhe rolin e IPK-së në ruajtjen dhe fuqizimin e integritetit në Policinë e Kosovës.
Zyrtarët e IPK-së prezantuan detyrat dhe përgjegjësitë e IPK-së si agjencie mbikëqyrëse, duke theksuar rëndësinë e saj në sigurimin e profesionalizmit, përgjegjshmërisë  dhe llogaridhënies brenda forcave policore. 
Gjatë ligjëratës, nxënësit patën mundësinë të shtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje të detajuara nga përfaqësuesit e IPK-së mbi temat që lidhen me mekanizmat e ankesës, hetimet dhe inspektimet  e pavarura mbi Policinë e Kosovës.
Në kuadër të diskutimeve gjatë ligjëratës u trajtuan edhe tema si roli i qytetarit në mbajtjen e institucioneve përgjegjëse dhe llogaridhënëse në kuadër të sundimit të ligjit.
IPK falënderon stafin e shkollës "Don Bosko" dhe nxënësit e kësaj shkolle për bashkëpunimin dhe përkrahjen e dhënë për realizimin e këtij aktiviteti.