Publication Image

IPK me përkrahjen e Misionit të OSBE-së përmbylli me sukses dy punëtori rajonale për fuqizimin e integritetit dhe llogaridhënies në Policinë e Kosovës

27.04.2026

Mitrovicë-Prizren, 27 prill 2026
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me përkrahjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka përmbyllur me sukses dy punëtori rajonale të organizuara në kuadër të aktiviteteve për fuqizimin e integritetit profesional, rritjen e llogaridhënies institucionale dhe avancimin e standardeve të punës në Policinë e Kosovës.
Punëtoritë janë mbajtur në Mitrovicën e Jugut dhe në Prizren, duke mbledhur në secilën prej tyre mbi 25 zyrtarë/menaxherë policorë nga njësi të ndryshme të stacioneve policore dhe Drejtorive Rajonale Policore. Në këto aktivitete morën pjesë dhe kontribuuan gjithashtu përfaqësues nga Drejtoria për Hetime të Brendshme në kuadër të Policisë së Kosovës . 
Gjatë punëtorive u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me performancën profesionale dhe etikën në punë, përfshirë integritetin profesional në raport me të drejtat e njeriut, menaxhimin e konfidencialitetit të informatave, si dhe komunikimin me qytetarët dhe ndikimin e tij në rritjen e besueshmërisë ndaj policisë.
Diskutimet ndërvepruese dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet pjesëmarrësve rezultuan në disa konkluzione që ndërlidhen me nevojën për forcimin e vazhdueshëm të kulturës së integritetit brenda strukturave policore, rolin e komunikimit profesional dhe transparent me qytetarët në ndërtimin dhe ruajtjen e besimit publik ndaj Policisë së Kosovës etj.
Këto punëtori janë pjesë e një cikli prej së paku tetë aktivitetesh të planifikuara për t’u realizuar në të gjitha Drejtoritë Rajonale Policore në Republikën e Kosovës, me qëllim të krijimit të një qasjeje të unifikuar dhe gjithëpërfshirëse në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe fuqizimin e integritetit institucional.
IPK falënderon Misionin e OSBE-së për përkrahje duke mbetur e përkushtuar në mbështetjen dhe organizimin  e aktiviteteve që kontribuojnë drejt një policie profesionale, transparente dhe të besueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.