Publication Image

Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla vizituan Inspektoratin Policor të Kosovës

26.05.2026




Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së z. Kushtrim Hodaj ka pritur sot në vizitë z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, si dhe z. Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme. 

Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, z. Kushtrim Hodaj, i njoftoj nga afër me të arriturat e Inspektoratit Policor të Kosovës, aktivitetet dhe prioritetet institucionale, si dhe u diskutua lidhur me sfidat me të cilat ballafaqohet IPK-ja në ushtrimin e mandatit të saj ligjor. 

Kryeministri Kurti vlerësoj lartë misionin dhe punën e IPK duke theksuar se “Është nder të jem sot këtu, në një institucion me rëndësi të veçantë për shtetin e së drejtës dhe në themel të besimit publik në Republikën e Kosovës. Është mekanizmi që siguron se ligji zbatohet brenda vetë sistemit të sigurisë dhe se askush nuk është mbi ligjin, pa përjashtim dhe pa privilegje. Mandati i tij është i qartë dhe i pa kompromis: hetim, inspektim, disiplinë dhe referim i çdo rasti ku cenohet integriteti i Policisë së Kosovës. Ky është një rol thelbësor për funksionimin e shtetit të së drejtës. Që nga fillimi i mandatit, për ne ka qenë qenësore forcimi i integritetit të institucioneve. Rezultatet e punës së IPK-së në vitet e fundit flasin qartë: IPK ka rritur ndjeshëm efikasitetin në trajtimin e ankesave të qytetarëve, duke u shndërruar në një adresë të besueshme institucionale për çdo shqetësim ndaj veprimeve të Policisë”. 
 

Gjithashtu edhe Ministri i Punëve të Brenshme z. Xhelal Sfeçla vlerësoj lartë rolin dhe angazhimin e IPK-së duke u zotuar për mbështetj në ngritjen e kapaciteteve të IPK,  përfshirë shtimin të burimeve njerëzore, projekteve të digjitalizmit si dhe fuqizim dhe zgjerim të mandatit ligjor. 

Në pjesën e dytë të vizitës, në prani të menaxhmentit të IPK-së, Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Ministrit të Punëve të Brendshme iu prezantua projekti “Platforma elektronike për vlerësimin e performancës së Stacioneve Policore”. 

Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar muaj më herët një proces inspektimi, pas të cilit përmes një platforme digjitale në ueb-faqen zyrtare të IPK-së do të pasqyrohen rezultatet e vlerësimit të performancës së stacioneve policore. Këto vlerësime realizohen përmes inspektimit të strukturave dhe funksioneve policore, me fokus në aktivitetet kryesore operative dhe administrative të tyre. 

 

Platforma elektronike për vlerësimin e performancës së stacioneve policore paraqet një mekanizëm të rëndësishëm për fuqizimin e mbikëqyrjes policore dhe rritjen e nivelit të llogaridhënies institucionale. Përmes publikimit të rezultateve të vlerësimit, kjo platformë synon të rrisë transparencën ndaj publikut dhe të krijojë standarde më të avancuara të monitorimit të punës policore, në përputhje me praktikat bashkëkohore të policiimit demokratik. 

Po ashtu, rezultatet e nxjerra nga ky proces vlerësimi pritet të kontribuojnë drejtpërdrejt në identifikimin e fushave që kërkojnë përmirësim, avancimin e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e efikasitetit operacional të stacioneve policore. Përmes promovimit të performancës më të lartë policore dhe rritjes së përgjegjshmërisë institucionale, kjo platformë pritet të ketë ndikim pozitiv edhe në forcimin e sigurisë publike dhe besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit.