Me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, punëtoria e zhvilluar në Prishtinë mblodhi mbi 25 zyrtarë dhe menaxherë policorë për të diskutuar forcimin e integritetit profesional, llogaridhënies institucionale, respektimit të të drejtave të njeriut dhe komunikimit me qytetarët
Prishtinë, 30 shtator 2026 – Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka përmbyllur me sukses punëtorinë rajonale të dedikuar forcimit të integritetit profesional, rritjes së llogaridhënies institucionale dhe avancimit të standardeve profesionale në Policinë e Kosovës.
Punëtoria një ditore e zhvilluar në Prishtinë, mblodhi mbi 25 zyrtarë dhe menaxherë policorë nga njësi të ndryshme të stacioneve policore dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë. Në aktivitet morën pjesë dhe kontribuuan gjithashtu përfaqësues të Drejtorisë për Hetime të Brendshme të Policisë së Kosovës.
Gjatë punëtorisë u trajtuan një sërë çështjesh me rëndësi për ushtrimin profesional të detyrave policore, me fokus të veçantë në integritetin profesional dhe respektimin e të drejtave të njeriut, menaxhimin dhe mbrojtjen e konfidencialitetit të informacionit, si dhe komunikimin me qytetarët dhe ndikimin e tij në besimit e publikut në institucionet e zbatimit të ligjit.
Diskutimet dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet pjesëmarrësve synuan të kontribuojnë në identifikimin e praktikave të mira dhe në fuqizimin e përgjegjësisë profesionale e institucionale, duke promovuar standarde të qëndrueshme të integritetit dhe llogaridhënies në Policinë e Kosovës.
Inspektorati Policor i Kosovës shpreh mirënjohjen për Misionin e OSBE-së në Kosovë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në realizimin e aktiviteteve që synojnë fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe promovimin e standardeve profesionale në fushën e zbatimit të ligjit.
IPK përmbyll me sukses punëtorinë rajonale për integritetin dhe llogaridhënien në Policinë e Kosovës
01.10.2026