Publication Image

Përfaqësues të IPK-së dhe APK-së morën pjesë në Konferencën e EPAC-ut

08.10.2026

Prishtinë/Budvë , 8 tetor 2026 
Përfaqësues të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) morën pjesë në Konferencën e 25-të Vjetore dhe Asamblenë e Përgjithshme të EPAC/EACN (Partnerët Evropian Kundër Korrupsionit), të mbajtur nga 5 deri më 7 tetor në Budvë të Malit të Zi.
Konferenca, e organizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit të Malit të Zi, në bashkëpunim me Sekretariatin e EPAC/EACN dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, mblodhi mbi 180 përfaqësues nga më shumë se 30 vende evropiane dhe mbi 85 organizata, përfshirë autoritete kundër korrupsionit, agjenci të mbikëqyrjes policore, institucione të Bashkimit Evropian dhe organizata ndërkombëtare.
Në fokus të diskutimeve ishin lufta kundër korrupsionit, mbikëqyrja policore, llogaridhënia, parandalimi i konfliktit të interesit, integriteti në polici dhe mbrojtja e sinjalizuesve.
Konferenca shërbeu edhe si mundësi për të diskutuar mbi sfidat e reja të luftës kundër korrupsionit, forcimit të qëndrueshmërisë institucionale, si dhe përdorimit të analizës së të dhënave, inteligjencës artificiale dhe mjeteve digjitale në identifikimin dhe parandalimin e korrupsionit.
Për IPK-në, ky forum paraqet mundësi për shkëmbim të përvojave me institucionet homologe dhe diskutim të praktikave bashkëkohore në mbikëqyrjen e policisë dhe fuqizimin e mekanizmave të llogaridhënies.
Konferenca përfundoi me miratimin e Deklaratës së Budvës, përmes së cilës pjesëmarrësit riafirmuan angazhimin për fuqizimin e bashkëpunimit evropian në luftën kundër korrupsionit, mashtrimit dhe parregullsive, si dhe për mbrojtjen e integritetit të institucioneve publike.