Në Vushtrri u mbajt punëtoria rajonale dy ditore me temën “Transparenca e agjencive mbikëqyrëse policore dhe roli i saj në fuqizimin e integritetit policor”
3 – 4 dhjetor 2025, Vushtrri
Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) me përkrahjen e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka organizuar më 3 dhe 4 dhjetor 2025 punëtorinë rajonale me temën “Transparenca e Agjencive Mbikëqyrëse Policore dhe roli i saj në fuqizimin e integritetit policor”.
Punëtoria u mbajt në ambientet e AKSP-së në Vushtrri dhe shënon një nga angazhimet tjera në kuadër të aktiviteteve të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte fuqizimi i bashkëpunimit rajonal, shkëmbimi i përvojave profesionale dhe identifikimi i praktikave më të mira në fushën e transparencës së institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe kontrollin e brendshëm policor.
Në punëtori morën pjesë 17 zyrtarë përfshirë delegacione nga agjencitë mbikëqyrëse policore nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi si dhe përfaqësues të institucioneve vendore: Inspektoratit Policor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sesionet në ditën e parë përfshinë prezantime mbi rolin e transparencës në punën e agjencive mbikëqyrëse policore si dhe prezantime nga delegacionet e vendeve të rajonit.
Dita e dytë ka vazhduar me prezantime edhe nga profesorë nga Universiteti i Prishtinës (Fakulteti i Filologjisë – Programi i Gazetarisë) mbi rëndësinë e komunikimit strategjik për agjencitë e rendit si dhe një prezantim për rolin mbështetës të Misionit të OSBE-së në Kosovë në fuqizimin e kapaciteteve profesionale në fushën e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun për agjencitë e zbatimit të ligjit në Kosovë.
Punëtoria u mbyll me ceremoninë e ndarjes së certifikatave dhe fjalët përmbyllëse duke vënë në pah rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit rajonal dhe konsolidimit të mekanizmave të transparencës si mjet thelbësor për integritetin, profesionalizmin e policisë dhe llogaridhënien e agjencive të zbatimit të ligjit.
Inspektorati Policor i Kosovës falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe institucionet bashkëpunuese për kontributin e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm rajonal.
IPK organizon punëtori rajonale lidhur me rëndësinë e transparencës te agjencitë mbikëqyrëse policore
04.12.2025