Publication Image

Komunikatë për media

19.01.2026


Raporti i inspektimit adreson përveç tjerash përmes rekomandimeve dobësitë në fushën e organizimit dhe burimeve njerëzore dhe ato në fushën e aktivitetit operativ hetimor te Stacionet Policore që kanë qenë subjekt i këtij inspektimi

Prishtinë/Hajvali, 19 Janar 2025 

Departamenti i Inspektimit në kuadër të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) ka publikuar Raportin e inspektimit të rregullt në fushën “Trajtimi i dhunës në familje nga Policia e Kosovës”.

Inspektimi është realizuar në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2025. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me performancën e njësive patrulluese dhe atyre hetimore në trajtimin me sukses të veprave penale të kësaj natyre.
Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: vlerësimi i kapaciteteve policore për trajtimin e rasteve, vlerësimi i reagimit policor dhe hetimit të rasteve të dhunës në familje, vlerësimi i aktiviteteve policore në monitorimin e urdhrave mbrojtës, si dhe vlerësimi i përmbajtjes së dosjeve dhe evidencave.
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe atë operativ. 
Në fushën e organizimit dhe burimeve njerëzore janë evidentuar dobësi që pasqyrojnë mos funksionalizimin e ekipeve të hetimeve të dhunës në familje në disa prej stacioneve, 
mos plotësimin e vendeve të punës në disa prej ekipeve të hetimeve të dhunës në familje etj. 
Në fushën e aktivitetit operativ hetimor janë evidentuar dobësi që pasqyrojnë se në disa prej dosjeve të inspektuara vërehen mungesë të raporteve njoftuese për Prokurorin mbi dyshimet e arsyeshme të kryerjes së veprave penale  si dhe mos aplikim të vlerësimit të rrezikut për viktimat sipas standardit në disa prej dosjeve të inspektuara. 

IPK në kuadër të Raportit ka dhënë gjashtë (6) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e funksionalizimit të plotë të ekipeve të hetimit të dhunës në familje, trajnimit të burimeve të angazhuara në këto njësi, ngritjen e cilësisë së intervistave, zgjerimin e intervistave edhe me dëshmitarë tjerë potencial, nxjerrjen e raporteve ditore mbi rastet, respektimin e zinxhirit të plotë komandues gjatë procedimit të kallëzimeve penale në Prokurorinë e Shtetit, etj.

Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim):
https://ipk.rks-gov.net/Reports/InspectionReports