Publication Image

Komunikatë për media

25.02.2026


Prishtinë/Gjakovë/Gjilan, 25 shkurt 2026 
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve në dy raste të ndara i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për tetë zyrtarë policorë në Gjakovë dhe Gjilan.
Rasti i parë raportohet të ketë ndodhur më 19.02.2026 ku fillimisht një qytetar në Gjakovë është njoftuar për një gjobë për parkim të veturës në vendin ku është e ndaluar. Qytetari kishte shkuar në stacionin policor për të marrë  tiketën për kundërvajtje por i njëjti pas kontaktit dhe një bisede me zyrtarët policorë ishte arrestuar si i dyshuar për kanosje.
Hetuesit e IPK-së pas pranimit të informacioneve dhe ankesës për këtë rast kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore përfshirë analizimin e shkresave të rastit, raporteve të zyrtarëve policorë, analizimin e një audio-incizimi etj.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është vërejtur se raportet e zyrtarëve policorë mbi bazën e të cilave është iniciuar rasti i kanosjes nuk përkojnë me atë që dëgjohet në incizim dhe dyshohet se edhe nuk janë të vërteta.
Hetuesit e IPK-së janë konsultuar me Prokurorinë Themelore në  Gjakovë dhe veprimet tjera hetimore do të ndërmerren ndaj gjashtë zyrtarëve policorë në procedurë të rregullt në drejtim të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. 
Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar Policisë suspendimin për 6 zyrtarët policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor të Drejtorisë Rajonale të Gjakovës.
 
Në rastin tjetër, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për dy zyrtarë policorë  në Gjilan.
Hetimet lidhur me këtë rast ndaj dy zyrtarëve policorë  janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan në procedurë të rregullt  më dyshimin për veprën penale “Lajmërim apo Kallëzim i rremë” 
 
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e dy rasteve.