Publication Image

Komunikatë për media

07.05.2026

Komunikatë shtesë për medie
 IPK në operacionin e sotshëm arrestoi tre zyrtarë policorë
 Prishtinë, 07 maj 2026
Duke ju referuar operacionit të sotshëm të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, janë shoqëruar në objektin e IPK-së katër zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast.
Pas intervistimit tre zyrtarë policorë janë arrestuar dhe me vendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse ndaj një zyrtari tjetër rasti do të vazhdoj në procedurë të rregullt.
Operacioni është realizuar në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq në bazë të urdhëresës se Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka përfshirë bastisjen e pesë (5) personave zyrtarë dhe dy (2) personave civilë/qytetarë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me disa vepra penale.
Hetimet lidhur me këtë rast ndaj katër zyrtarëve policorë  janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë  me dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit .
Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për 4 zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin.

Për detaje shtesë ju lutem i referoheni edhe komunikatës së parë lidhur me këtë rast si në vijim:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me IPK-në dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, zhvillon aksion në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq
Prishtinë, 07 maj 2026- Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, janë duke u zhvilluar dy aksione të ndara në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Aksionet po realizohen në bazë të urdhëresës se Gjykatës Themelore në Prishtinë, për bastisjen e pesë (5) personave zyrtarë dhe dy (2) personave civilë/qytetarë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me disa vepra penale, përfshirë: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘’Shkelja e fshehtësisë së procedurës’’, sipas nenit 392 të KPRK-së, ‘’Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit’’ sipas nenit 194 të KPRK-së ‘’Keqpërdorimi i informatës zyrtare’’ sipas nenit 416 të KPRK-së, ‘’Mashtrimi’’, sipas nenit 323 të KPRK-së, ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’ sipas nenit 395 të KPK-së, ‘’Marrja e ryshfetit’’ sipas nenit 421 të KPRK-së, dhe ‘’Dhënia e ryshfetit’’ të KPRK-së.
Sipas dyshimeve fillestare dhe veprimeve hetimore të ndërmarra deri në këtë fazë të hetimeve, të dyshuarit në bashkëveprim, dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me përfitime të kundërligjshme pasurore, përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të tyre.
Po ashtu, pesë (5) persona zyrtarë dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të mundësimit të përfitimeve të kundërligjshme pasurore.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin.