Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në prag të shënimit të 20 vjetorit të themelimit, mirëpriti në një vizitë nxënësit e klasave 8/2 dhe 8/3 të Shkollës fillore të mesme të ulët “Shkendije” të shoqëruar nga kujdestaret e klasave, znj. Nazmije Pacolli dhe znj. Albulena Bruqi-Nimani.
Gjatë vizitës, nxënësit u pritën nga Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së, z. Kushtrim Hodaj, si dhe zyrtarë të tjerë të IPK-së të cilët prezantuan para tyre rolin, mandatin dhe përgjegjësitë e Inspektoratit Policor të Kosovës në mbikëqyrjen e ligjshmërisë, profesionalizmit dhe llogaridhënies në Policinë e Kosovës.
Përmes prezantimeve dhe bashkëbisedimit interaktiv, nxënësit patën mundësinë të njihen më nga afër me funksionimin e IPK-së, procedurat e trajtimit të ankesave dhe raportimeve nga qytetarët, si dhe rëndësinë e institucioneve të pavarura në forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Gjatë takimit, nxënësit shprehën interesim të madh për punën e institucionit, duke parashtruar pyetje të ndryshme dhe duke zhvilluar diskutime konstruktive me përfaqësuesit e IPK-së.
Inspektorati Policor i Kosovës vlerëson vizita të tilla edukative si një mundësi të rëndësishme për të afruar institucionet me të rinjtë, për të promovuar transparencën institucionale dhe për të kontribuar në edukimin qytetar të gjeneratave të reja.
IPK falënderon nxënësit dhe stafin arsimor për vizitën dhe interesimin e treguar, duke mbetur i përkushtuar për bashkëpunim me institucionet arsimore në funksion të informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve të rinj mbi rolin e institucioneve në një shoqëri demokratike.
Inspektorati Policor i Kosovës priti në vizitë nxënësit e shkollës “Shkendije”të Hajvalisë
19.06.2026