IPK publikoi Raportin e inspektimit “Menaxhimi i thirrjeve dhe reagimit policor”

Komunikatë për media

Prishtinë/Hajvali, 5 dhjetor 2022 
 
Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit të rregullt në fushën “Menaxhimi i thirrjeve dhe reagimit policor”.
 
Bazuar në Planin Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2022, nga IPK është iniciuar inspektimi për të vlerësuar menaxhimin e thirrjeve dhe reagimit policor. Inspektimi është përqendruar në të gjitha stacionet policore në kuadër të Divizionit të Sigurisë Publike të Departamentit për Operacione. 
 
Inicimi i inspektimit është ndikuar nga nevoja që Policia e Kosovës të sigurohet se stacionet janë në gjendje të përgjigjen në mënyrë efektive dhe të shpejtë në thirrjet e qytetarëve lidhur me shqetësimet e tyre. Inspektimi ka paraqitur një mundësi për të vlerësuar kapacitetet e stacioneve policore dhe gatishmërinë e tyre për të reaguar në ngritjen e sigurisë publike dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt. 
 
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për zyrtarët policor në bazat e komunikimit, njësitë policore reaguese, shërbimet mbështetëse - logjistike dhe nivelin mbikëqyrës - vendimmarrës. 
 
IPK në kuadër të Raportit të inspektimit ka dhënë pesë (5) rekomandime për Policinë e Kosovës që kanë të bëjnë me nevojën e nxjerrjes së një Udhëzuesi mbi procedurën dhe veprimet policore në trajtimin e thirrjeve dhe reagimin në vendngjarje, ushtrimin e kontrolleve ndaj zyrtarëve në bazat e komunikimit për ngritjen e cilësisë së logut operacional, standardizimin e metodologjisë së regjistrimit në log, analizimin e faktorëve ndikues që sfidojnë reagimin policor, si dhe monitorimin dhe analizimin periodik të kohës së reagimit.   
 
Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim) si dhe faktet kyçe të raportit:
https://ipk.rks-gov.net/Medias/Raporti%20i%20inspektimit%20-%20Menaxhimi%20i%20thirrjeve%20dhe%20reagimit%20policor-593200bc-facf-4458-a9d8-6d16f3293b97.pdf
;