IPK publikoi Raportin e inspektimit “Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Obiliqit”

Komunikatë për media

Prishtinë/Hajvali, 10 maj 2023

 

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit të rregullt lidhur me “Vlerësimin e performancës së Stacionit Policor të Obiliqit”.

Inspektimi është realizuar duke u bazuar në Planin Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2023 dhe është përqendruar në Stacionin Policor të Obiliqit, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës.

 

Inspektimi ka qenë me interes për IPK-në, me qëllim që të vlerësohet nëse Stacioni në fjalë realizon me sukses objektivat në përmbushje të mandatit ligjor, për të krijuar mjedis të sigurt për qytetarët.

 

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për nivelin drejtues rajonal dhe të Stacionit, si dhe zyrtarët policor.

IPK në kuadër të Raportit të inspektimit ka dhënë 22 rekomandime që kanë të bëjnë me funksionalizimin e njësive policore, sistemimin e personelit, regjistrin mbi vijueshmërinë, verifikimin e sigurisë së zyrtarit në bazën e të dhënave, ushtrimin/dokumentimin e kontrolleve të armëve dhe pajisjeve, furnizimin me jelekë dhe sprej kimik, respektimin e afateve gjatë trajtimit të shkeljeve të lehta disiplinore, cilësinë e logut të ngjarjeve ditore, hartimin e planeve që adresojnë shqetësimet e qytetarëve, hartimin e raporteve pas operative, vlerësimin e rrezikut për viktimat e dhunës në familje, procedimin e rasteve në Prokurori, kontrollin menaxherial në Dhomën e dëshmive, mungesën e pajisjeve rezervë dhe shtesë në automjete, etj.

 

Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim): 

RAPORTI I INSPEKTIMIT

;