Komunikatë për media
Prishtinë/Hajvali, 2 shkurt 2024Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit lidhur me “Vlerësimin e performancës së Stacionit Policor të Fushë Kosovës”.
Inspektimi është realizuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së dhe është përqendruar në Stacionin Policor të Fushë Kosovës në kuadër të Drejtorisë Rajonale Policore të Prishtinës.
Inspektimi ka qenë me interes për IPK-në, me qëllim që të vlerësohet nëse Stacioni është duke realizuar me sukses objektivat në përmbushje të mandatit ligjor. Gjithashtu, inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me performancën e këtij Stacioni.
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe atë operativ - administrativ.
IPK në kuadër të Raportit ka dhënë 14 rekomandime, që kanë të bëjnë me ri-sistemimin e personelit dhe përmbushjen e kapaciteteve të planifikuara të burimeve njerëzore, furnizimin (zëvendësimin) jo të rregullt me uniformë/sprej/jelekë anti - plumb dhe radiolidhje, mos përfshirjen e një pjese të personelit në programe të ri-certifikimit dhe në trajnime specifike me natyrë të hetimeve, cilësinë e evidencës së Logut operacional, mos respektimin në disa raste të zinxhirit të plotë komandues sa i përket procedimit të kallëzimeve penale, përdorimin në disa raste të paketimeve jo adekuate për ruajtje të dëshmive, mungesën e disa prej masave të sigurisë, mungesën e disa prej pajisjeve rezervë në automjete, mos mbushjen me kohë të pajisjeve kundër zjarrit, mos funksionimin e shpeshtë të pajisjeve të kontraktuara (fotokopjeve), etj.
Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim): RAPORTI