Përmbledhje e aktiviteteve të Inspektoratit Policor të Kosovës gjatë vitit 2023

Komunikatë për media

Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.

IPK gjatë vitit 2023 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1697 ankesa. Prej tyre 1145 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës, 540 nga to janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve në IPK më dyshimin për veprimtari penale (pjesa tjetër janë përcjellë në institucione tjera dhe në Departamentin e Inspektimeve). 

Për periudhën raportuese, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime: 
ka arrestuar 35 të dyshuar ( 21 punonjës policorë dhe 14 qytetar), 
71 rekomandime për suspendim,
në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 74 Kallëzime Penale, 54 Raporte të Veçanta dhe 56 Raporte Informuese.

Përgjatë këtij viti IPK ka realizuar 13 inspektime dhe ka dhënë 126 rekomandime për të përmirësuar performancën në fushat e inspektuara: 
1.   Mernaxhimi i Fondit Emergjent nga Policia e Kosovës,
2.   Vlerësimi i performances së Stacionit Policor të Obiliqit,
3.   Vlerësimi i performances së Stacionit Policor të Gjakovës,
4.   Shqyrtimi i shkeljeve disiplinore dhe shqiptimi i masave ndaj punonjësve të Policisë nga Komisioni i Brendshëm Disiplinor,
5.   Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Ferizajt,
6.   Vlerësimi i Performancës së Stacionit Policor të Klinës,
7.   Trajtimi i dhunës në familje nga Policia e Kosovës,
8.   Vlerësimi i zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e Pikave të Përbashkëta të Kalimit Kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar,
9.   Menaxhimi i trafikut rrugor në Kryeqytet,
10.     Vlerësimi i performances së Stacionit Policor të Malishevës,
11.     Vlerësimi i performances së Stacionit Policor të Istogut,
12.     Vlerësimi i performances së Stacionit Policor të Fushë Kosovës.
13.     Vlerësimi i aktiviteteve në parandalimin e garave të shpejtësisë me automjete

Gjatë këtij viti, IPK-ja ka pasur disa aktivitete nën vazhdën e përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me qytetarë dhe partnerë të ndryshëm, me organizata qeveritare e jo qeveritare dhe me media. Gjatë vitit 2023, në kuadër të angazhimeve për fuqizimin e kapaciteteve profesionale të punonjësve të IPK-së,  me përkrahjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë si ICITAP, OSBE etj. janë organizuar dhe mbajtur 33 trajnime për punonjësit operativ dhe për stafin administrativ.

Zhvillimi i marrëdhënieve me publikun dhe fuqizimi i bashkëpunimit me organizatat vendore dhe ndërkombëtare është i rëndësisë së veçantë për IPK-në dhe në kuadër të kësaj ka pasur disa aktivitete të realizuara nga Inspektorati Policor i Kosovës. Në ceremoninë e mbajtur  në muajin prill të këtij viti në Departamentin e Shtetit në Washington  për ditën e Akademisë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit  (ILEA), Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së Kushtrim Hodaj është përzgjedhur fitues i çmimit kryesor  për Sukses të Jashtëzakonshëm Operacional.

Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me ICITAP-in amerikan organizoi në Prizren konferencën rajonale tre ditore me temën “Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit në policinë kufitare”.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, me rastin e shënimit të 17 vjetorit të IPK-së u nënshkrua deklarata për themelimin e “Forumit rajonal të agjencive mbikëqyrëse policore” në mes Republikës së Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjatë këtij viti IPK nënshkroi edhe Memorandum Mirëkuptimi me Inspektoratin e Përgjithshëm të Forcave të Sigurisë të Republikës Çeke.

Raportin e plotë vjetor të IPK-së mund ta gjeni në linkun si në vijim: RAPORTI

;