Me rekomandim të IPK-së suspendohet një zyrtar policor të dyshuar për kontrabandë me mallra, rekomandohet suspendimi edhe i një udhëheqësi të ndërrimit të policisë kufitare

Komunikatë për media

Prishtinë/Gjakovë, 28 mars 2024,

 

Dy ditë më parë hetuesit e Inspektoratit Policor i Kosovës kanë pranuar informacione nga Policia e Kosovës për një rast të dyshuar për kontrabandë të mallit ku dyshohej se ishte përfshirë një zyrtar policor.

 

Hetuesit e IPK menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Pas ndërmarrjes dhe veprime paraprake, hetuesit e IPK-së kanë gjetur se zyrtari policor (me detyrë në Njësitin Rajonal të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë)  ka kontrabanduar mall përmes pikës kufitare Qafë Prush në vlerë prej mbi 4000 euro (kamera, alarme dhe mjete tjera për internet) duke vozitur dhe përdorur një veturë private. Hetuesit e IPK-së kanë intervistuar disa dëshmitarë dhe të dyshuarin (zyrtarin policor) dhe në konsultim me Prokurorinë kane iniciuar rastin “Kontrabandim me mallra”.

 

Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor  të dyshuar në këtë rast si dhe rekomandimin për suspendim edhe të udhëheqësit të ndërrimit në pikën kufitare Qafë Prushi në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale.

 

IPK falënderon Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e treguar dhe angazhimin e përbashkët drejt fuqizimit të integritetit policor.

 

IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.


;