IPK rekomandoi suspendimin për dy zyrtarë policorë

Komunikatë për media

Prishtinë/Hajvali - Suharekë, 30 mars 2024
 
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar dje një informacion nga Policia e Kosovës në Suharekë lidhur me një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë.
 
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e mbrëmjes kur policia kishin reaguar në një incident në Suharekë.
 
Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore dhe duke dalë në vendin e ngjarjes.
 
Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj dy zyrtarëve policorë, IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.
 
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.
;