IPK publikoi raportin e inspektimit “Vlerësimi i kapaciteteve dhe aktiviteteve operative në stacione policore”

Komunikatë për media

Prishtinë/Hajvali, 12 prill 2024

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit lidhur me “Vlerësimin e kapaciteteve dhe aktiviteteve operative në stacione policore”.

Inspektimi është realizuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së dhe është përqendruar në 17 stacione policore në kuadër të drejtorive rajonale të Divizionit të Sigurisë Publike.

Qëllimi i inspektimit ka qenë të vlerësohet nëse stacionet janë duke realizuar me sukses objektivat në përmbushje të mandatit ligjor. Gjithashtu, inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me kapacitetet e burimeve njerëzore të angazhuara brenda ndërrimeve, azhurniteti i njësive policore për të reaguar në raste dhe në thirrje të qytetarëve, raportimet mbi aktivitetet e ndërmarra dhe kapacitetet aktive të parkut të automjeteve të stacioneve në shërbim të njësive policore.

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe  atë operativ - administrativ.

IPK në kuadër të Raportit ka dhënë pesë (5) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për përmbylljen e procesit të sistemimit dhe ri-sistemimit të burimeve njerëzore konform Listës së Personelit të Autorizuar, plotësimin e nevojave të stacioneve me burime njerëzore, menaxhimin më cilësor të burimeve brenda ndërrimeve, përmbushjen e obligimeve për raportimin e aktiviteteve të ndërmarra policore përmes fletëve patrulluese dhe ngritjen e cilësisë së regjistrit të Logut operacional. 

Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim): RAPORT
;