IPK publikoi raportin e inspektimit “Vlerësimi i aktiviteteve në parandalimin e garave ilegale të shpejtësisë me automjete”

Komunikatë për media

Prishtinë/Hajvali, 22 prill 2024

 

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit “Vlerësimi i aktiviteteve në parandalimin e garave ilegale të shpejtësisë me automjete”.

 

Inspektimi është realizuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së dhe është përqendruar në Njësinë për Kontroll të Autostradës, Njësinë Rajonale të Trafikut Rrugor - Prizren, Stacionin Policor - Prizren dhe Stacionin Policor - Prizren Veriu.

 

Objektivat e inspektimit kanë qenë që të vlerësohet organizimi dhe kapacitetet policore, aktivitetet policore në parandalimin e garave ilegale dhe masat e ndërmarra në ngritjen e sigurisë rrugore. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me mobilizimin dhe përkushtimin policor në adresimin e kësaj dukurie që rrezikon sigurinë rrugore.

 

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe  atë operativ - administrativ.

 

IPK në kuadër të Raportit të inspektimit ka dhënë gjashtë (6) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e ngritjes së cilësisë së orareve ditore sa i përket ndarjes së detyrave brenda ndërrimit, përmbushjen në të gjitha rastet të obligimeve të raportimit përmes fletëve patrulluese, sigurimin e kushteve për mbajtjen e Logut operacional nga Njësia për Kontrollin e Autostradave, zbatimin në përpikëri të udhëzimeve të menaxhmentit për kryerjen e patrullimeve të kohëpaskohshme dhe pikave të përbashkëta të kontrollit, shqyrtimin e mundësive për vendosjen e kamerave në auto udhë, si dhe rishikimin e organizimit të Njësisë së Kontrollit të Autostradave.

 

Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim): RAPORTI

;