IPK publikoi Raportin e inspektimit “Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Prishtinës - Qendër”

Komunikatë për media

Prishtinë/Hajvali, 22 gusht 2024 
 
Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit të rregullt lidhur me “Vlerësimin e performancës së Stacionit Policor të Prishtinës - Qendër”.
 
Inspektimi është realizuar duke u bazuar në Planin Vjetor të Inspektimeve të Rregullta (2024) dhe është përqendruar në Stacionin Policor të Prishtinës – Qendër, në kuadër të Drejtorisë Rajonale Policore të Prishtinës. 
 
Inspektimi ka pasur për qëllim që të vlerësojë nëse Stacioni është duke realizuar me sukses objektivat në përmbushje të mandatit ligjor. Gjithashtu, inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me performancën e këtij Stacioni. 
 
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe  atë operativ - administrativ. 
 
IPK në kuadër të Raportit ka dhënë 13 rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e përshpejtimit të procesit të ri-strukturimit të Stacionit dhe ri-sistemimin e personelit, pajisjen me sprej/jelek anti-plumb/radiolidhje, përmbushjen e kuotës së orëve në trajnimet e brendshme, përfshirjen më të gjerë të zyrtarëve në ri-certifikim dhe trajnime profesionale, analizimin dhe identifikimin e faktorëve që mund të shtyjnë kohën e përgjithshme të reagimit, përmirësimin e vazhdueshëm të shkallës së realizimit të urdhëresave, dokumentimin e vizitave tek personat e kërkuar me urdhëresa, respektimin e afateve për lëshimin e vërtetimeve për të kaluarën kriminale, respektimin e hierarkisë gjatë procedimit të kallëzimeve, intensifikimin e kontrolleve në Dhomën e dëshmive, ushtrimin e kontrolleve mbi përdorimin e automjeteve dhe sanimin e vështirësive lidhur me funksionimin e pajisjeve të kontraktuara (fotokopjeve). 
 
Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim): RAPORTI
;