Komunikatë për media
Prishtinë/Hajvali, 31 Tetor 2024,Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së janë informuar nga Policia e Kosovës sot pas orës 08:00 lidhur me një rast ku dyshohet se janë përfshirë disa zyrtarë policorë të Njësitit të Reagimit të Shpejt në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë.
Bazuar në veprimet hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, dyshohet se zyrtarët policorë kanë arrestuar dhe shoqëruar një qytetar (punonjës i sigurimit për Misionin e EULEX-it) pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture private (të cilën ishte duke drejtuar një zyrtar policor) para hyrjes së parkingut të Misionit EULEX afër stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Punonjësi vendor i sigurimit të Misionit të EULEX ishte në detyrë të sigurimit të auto-parkingut të veturave të EULEX-it në kohën kur ka ndodhur incidenti.
Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë disa veprime fillestare hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent i cili poashtu ka dalë në vendin e ngjarjes.
Bazuar në këto veprime fillestare hetimore, me dyshimin se zyrtarët e përfshirë në këtë rast kanë kryer veprën penale “ Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, IPK në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Njësitit të Reagimit të Shpejt në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë.
Hetuesit e IPK-së në koordinim më Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen më këtë rast.