Inspektorati Policor publikoi dy raporte të inspektimeve: “Trajtimi i dhunës në familje nga Policia e Kosovës” dhe “Respektimin e ligjshmërisë gjatë konfiskimit të automjeteve në trafik”

Komunikatë për media

Prishtinë/Hajvali, 11 nëntor 2024 
 
Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar dy raporte të inspektimit, njëri i rregullt kurse tjetri i jashtëzakonshëm:  “Trajtimin e dhunës në familje nga Policia e Kosovës” dhe “Respektimin e ligjshmërisë gjatë konfiskimit të automjeteve në trafik”.
 
Inspektimi për “Trajtimin e dhunës në familje nga Policia e Kosovës” është realizuar duke u bazuar në Planin Vjetor të Inspektimeve të Rregullta të IPK-së dhe është fokusuar në 12 stacione policore të rendit publik. Ka disa vite që IPK ndërmerr inspektime, për të vlerësuar performancën e strukturave policore në parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje. IPK ka synuar të vlerësojë angazhimet në përmbushje të mandatit ligjor dhe obligimeve që dalin nga Strategjia për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. 
 
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe  atë operativ. 
 
IPK në kuadër të Raportit ka dhënë gjashtë (6) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e funksionalizimit të ekipeve të hetimit të dhunës në familje konform strukturës organizative në fuqi, përmbushjen e ekipeve me burimet e nevojshme njerëzore, ushtrimin e kontrolleve për të siguruar kohë efektive të reagimit, ushtrimin e kontrolleve për t’u siguruar se mbrojtësit e viktimave njoftohen edhe me shkrim lidhur me rastet, ushtrimin e kontrolleve për t’u siguruar që në të gjitha rastet përpilohet Raport ditor, ushtrimit të kontrolleve mbi respektimin e procedurës së paraparë të aprovimit gjatë procedimit të kallëzimeve penale, etj.
 
Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim): RAPORTI

 

 

Raporti i dytë i inspektimit të jashtëzakonshëm që u publikua nga IPK ishte lidhur me “Respektimin e ligjshmërisë gjatë konfiskimit të automjeteve në trafik”.

 

Inspektimi është realizuar duke u bazuar në kërkesën e Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së për të vlerësuar respektimin e legjislacionit në fushën e kundërvajtjeve të trafikut rrugor lidhur me konfiskimin e mjeteve me veprim motorik.


IPK është e interesuar të njihet me përmbushjen e kushteve për konfiskimin e automjeteve nga njësitë policore të trafikut dhe trajtimin e më pastajmë të ankesave nga Komisioni për Vendosje.

 

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe  atë operativ.

 

IPK në kuadër të Raportit ka dhënë tre (3) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e marrjes së një opinioni ligjor nga Gjykata Supreme e Kosovës mbi zbatimin e drejtë të legjislacionit në fuqi sa i përket konfiskimit të përkohshëm të automjeteve, adresimin e kërkesës tek ministria përgjegjëse që përmes nxjerrjes së aktit nënligjor të rregulloj edhe procedurën e konfiskimit të automjeteve, si dhe shqyrtimin e mundësive për të filluar aplikimin e praktikave për njoftimin e personave të tretë kur automjetet e tyre janë përdorur si mjete për kryerjen e kundërvajtjeve.

 

Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim): RAPORTI

;