IPK arrestoi një zyrtar policor të dyshuar për “Rrezikim të trafikut publik”

Komunikatë për media

Prishtinë/Hajvali, 18 nëntor 2024, 
 
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” në një aksident trafiku me veturë zyrtare.

Aksidenti raportohet të ketë ndodhur më 05.11.2024 rreth orës 05:00 në kryqëzimin e rrugëve “Dëshmorët e Kombit” dhe “Henri Dunant” në Prishtinë.

Në këtë aksident ishin përfshirë dy vetura,  një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës e modelit Skoda Octavia dhe një veturë private e modelit Skoda Karoq të cilën ka qenë duke e drejtuar një qytetar i Vushtrrisë.

Si pasojë e këtij aksidenti dyshohet se lëndime të rënda trupore kishte pësuar vozitësi i veturës Skoda Karoq, i cili ishte dërguar për tretman mjekësor në QKUK – Prishtinë.
 
Zyrtari policor i cili ishte duke drejtuar veturën zyrtare është suspenduar me rekomandim të IPK-së ditën e aksidentit.

Dje në orët e pasdites IPK është njoftuar nga Policia e Kosovës se qytetari i lënduar si pasojë e këtij aksidenti fatkeqësisht ka ndërruar jetë kurse trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.

Në vazhdën e ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe sipas udhëzimeve të Prokurorit të Shtetit,  sot nga IPK është arrestuar zyrtari policor më dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe të njëjtit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

;