Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës diskutojnë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional
Prishtinë, 4 gusht 2026 – Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, priti në takim Kryeshefin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj.
Me këtë rast, Kryeshefi Hodaj e uroi Kryeprokurorin Gashi për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit të tij.
Në fokus të diskutimeve të përbashkëta ndërmjet Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeshefit të IPK-së ishte intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë, veçanërisht në trajtimin me prioritet të rasteve që adresohen në prokurori nga ana e Inspektoratit Policor i Kosovës (IPK), nevojën për ndërlidhjen e databazës për menaxhimin e rasteve të IPK-së me Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Prishtinë- Hajvali, 30 qershor2026,
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), zyrtarët e IPK-së sot kanë realizuar një aksion vullnetar për dhurimin e gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.
Kësaj nisme humanitare iu përgjigjën një numër i madh i zyrtarëve të IPK-së të cilët me këtë rast kontribuuan në sigurimin e rezervave të gjakut për qytetarët në nevojë.
Ky aktivitet është pjesë e agjendës së aktiviteteve të Javës së IPK-së, e cila organizohet në shenjë të dy dekadave të punës së institucionit në përmbushjen e mandatit ligjor me fokus në promovimin e integritetit, përgjegjësisë, llogaridhënies dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Përmes këtij aktiviteti, zyrtarët e IPK-së dëshmuan se përkushtimi i tyre nuk kufizohet vetëm në detyrat profesionale, por shtrihet edhe në veprime humanitare për qytetarët në nevojë.
Inspektorati Policor i Kosovës shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për të gjithë zyrtarët e IPK-së që iu përgjigjën thirrjes për dhurimin e gjakut dhe stafin profesional të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në realizimin me sukses të këtij aktiviteti humanitar.