Kushtrim Hodaj u lind më 29.08.1984 në fshatin Gjonaj të Prizrenit, ku kreu dhe Shkollën fillore ndërkaq të mesmen në Prizren. Ka përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës dhe studimet postdiplomike, ku ka marr titullin shkencor Master i shkencave Jurdiko – Penale. Gjithashtu ka përfunduar Shkollën për Komandë dhe Staf Policor të organizuar nga Universiteti për Siguri Publike Northwestern nga SHBA (School of Police Staff and Comand – Northwestern University for Public Safety, USA).
Që nga viti 2007 ka punuar në Inspektoratin Policor të Kosovës, fillimisht si hetues i hetimeve disiplinore, nga viti 2010 hetues në hetime penale dhe që nga viti 2017 Udhëheqës i Departamentit për Planifikim, Bashkëpunim, Çështje Ligjore dhe Informim.
Kushtrim Hodaj nga Korriku i vitit 2020 deri në Dhjetor të të njëjtit vit ka ushtruar detyrën e Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së. Nga Dhjetori i vitit 2020 është emëruar Kryeshef Ekzekutiv i IPK-së.
Gjatë punës në IPK ka qenë pjesë dhe udhëheqës i shumë grupeve punuese për hartimin e akteve ligjore, nënligjore dhe dokumenteve strategjike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe jo vetëm.
Ka marrë pjesë në vizita studimore në vende të ndryshme të botës, ku është njohur me praktikat më të mira të institucioneve mbikëqyrëse dhe hetuese të Policive si: vizita në Departamentin e Policisë në San Antonio të Texasit në SHBA, si dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë. Ka qenë pjesëmarrës në shumë takime bilaterale dhe diskutime mbi hartimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit më institucionet homologe të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ka qenë pjesëmarrës i konferencave vjetore të EPAC/EACN, Partnerët Evropian Kundër Korrupsionit në Riga të Letonisë, Vjenë të Austrisë dhe në Stokholm të Suedisë.
Gjatë punës në Inspektoratin Policor të Kosovës ka marrë pjesë në dhjetëra trajnime profesionale, si dhe një numër të konsiderueshëm të trajnimeve të specializuara në fushën e hetimeve penale dhe të inspektimeve. Po ashtu për punën profesionale dhe kontributin e dhënë në IPK është dekoruar me mirënjohje dhe falënderime.