Prishtinë/Hajvali, 11 mars 2026
Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, z. Kushtrim Hodaj priti në takim një delegacion nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Takimi i përbashkët ndërmjet delegacioneve të mekanizmave mbikëqyrëse policore të dy vendeve u mbajt në objektin e Inspektorati Policor i Kosovës në Hajvali.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi ndërmjet dy mekanizmave duke diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit përfshirë edhe fushën e inspektimeve.
Takimi u zhvillua në frymën e aktiviteteve dhe fuqizimit të bashkëpunimit bazuar në marrëveshjen e Forumit Rajonal të agjencive të mbikëqyrjes policore.
Palët diskutuan gjithashtu për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të ardhmen e afërt, përfshirë organizimin e inspektimeve të përbashkëta, shkëmbimin e praktikave më të mira, koordinimin dhe harmonizimin e qasjeve në fushën e mbikëqyrjes policore.
Kryeshefi Hodaj falënderoi kolegët nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm për bashkëpunimin e deritanishëm, duke shprehur gatishmërinë e plotë për inicimin e aktiviteteve të përbashkëta, me synim ngritjen e mëtejshme të standardeve të mbikëqyrjes dhe forcimin e besimit të qytetarëve në policitë e dy vendeve.
Në shkollën "Don Bosko" Gjilan u mbajt ligjërata mbi rolin dhe rëndësinë e Inspektoratit Policor të Kosovës në sundimin e ligjit në Kosovë
Prishtinë - Gjilan, 27 shkurt 2026
Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) për vetëdijesimin e qytetarëve mbi fushëveprimin ligjor të tij, në shkollën "Don Bosko" në Gjilan u mbajt një ligjëratë me temën “Inspektorati Policor i Kosovës, roli dhe rëndësia në sundimin e ligjit në Kosovë”.
Ky aktivitet, i organizuar me nxënësit e kësaj shkolle kishte për qëllim informimin dhe ngritjen e vetëdijes së tyre mbi mekanizmat e mbikëqyrjes së institucioneve të sigurisë dhe rolin e IPK-së në ruajtjen dhe fuqizimin e integritetit në Policinë e Kosovës.
Zyrtarët e IPK-së prezantuan detyrat dhe përgjegjësitë e IPK-së si agjencie mbikëqyrëse, duke theksuar rëndësinë e saj në sigurimin e profesionalizmit, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies brenda forcave policore.
Gjatë ligjëratës, nxënësit patën mundësinë të shtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje të detajuara nga përfaqësuesit e IPK-së mbi temat që lidhen me mekanizmat e ankesës, hetimet dhe inspektimet e pavarura mbi Policinë e Kosovës.
Në kuadër të diskutimeve gjatë ligjëratës u trajtuan edhe tema si roli i qytetarit në mbajtjen e institucioneve përgjegjëse dhe llogaridhënëse në kuadër të sundimit të ligjit.
IPK falënderon stafin e shkollës "Don Bosko" dhe nxënësit e kësaj shkolle për bashkëpunimin dhe përkrahjen e dhënë për realizimin e këtij aktiviteti.